EKSKLUZIVE, Rrefehet Lul Berisha

• Klodiana Lala
29/07/2007 - 07:25
Pikërisht në këto ditë të nxehta fundkorriku, Lulëzim Berisha ka vendosur të thyejë heshtjen. Nga qelia e burgut të sigurisë së lartë 302 në kryeqytet, i cilësuari si kapo i Bandës së Durrësit, rrëfen se vrasjen e Shkëlqim Saliut, vëllait të Klodian Saliut, i cili është konsideruar si kundërshtari i tij kryesor, e ka mësuar nga media, pasi në kushtet në të cilat ndodhet nuk ka ndonjë mundësi tjetër për të mësuar çfarë ndodh jashtë mureve të burgut. Por ajo çfarë e ka shqetësuar së tepërmi të akuzuarin, është fakti që pavarësisht se është në izolim të plotë, i faturohet një krim i tillë, edhe pse ende jo në rrugë zyrtare. Tipi i hekurt që deri më sot kishte preferuar të heshtte, ka vendosur të thotë diçka në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”. Nga qelia e burgut rrëfen për të vërtetën e akuzave të ngritura ndaj tij, për marrëdhëniet me vëllezërit Saliu, të cilësuarit nga policia si kundërshtarët e tij kryesorë, si dhe mohon faktin të ketë njohje me të akuzuarit si anëtarë të “Bandës së Durrësit” me të cilët po gjykohet. “Me Klodian Saliun kam pasur marrëdhënie normale shoqërore”, - shprehet ai. Ndërsa përfshirjen e tij në ngjarjen e pesë ditëve me parë e cilëson si qëllim dashakeq dhe të inskenuar nga qarqe të caktuara që kërkojnë me çdo kusht dënimin e tij, pasi nuk mundën ta ekzekutonin edhe pse i bënë katër atentate. “Mendoj se është diçka dashakeqe dhe e qëllimshme. Nuk e di nëse janë të njëjtat segmente që janë përpjekur të më eliminojnë fizikisht disa herë, por realisht e di që janë ata që kanë montuar akuza të paqena ndaj personit tim”, - vazhdon më tej Lul Berisha….
Si e mësuat lajmin e vrasjes së Shkëlqim Saliut?
Lajmin e vrasjes se Shkëlqim Saliut e kam marrë vesh nëpërmjet mediave vizive, ditën e nesërme të ndodhjes së saj dhe konkretisht në kanalin “Neës24”. Realisht atë natë nga forcat e policisë së burgjeve është kryer kontroll në dhomën time, por unë në atë moment nuk isha në dijeni për arsyet e këtij kontrolli.
Saliu njihet si një nga kundërshtarët tuaj, çfarë mund të na thoni për këtë?
Në lidhje me këtë pyetje, dua të sqaroj se unë këtë person nuk e njoh si ndonjë kundërshtar timin, nuk kam pasur ndonjë lloj marrëdhënieje apo konflikti me të, dhe po ashtu dhe vëllezërit e tij i njoh thjesht si qytetarë durrsakë.
Pas vrasjes së 5 netëve më parë ishte emri juaj që u implikua. Sipas jush, është ndonjë gjë e qëllimshme?
Implikimi i emrit tim në gazeta pas ndodhjes së kësaj ngjarjeje, natyrisht që është dashakeq dhe i qëllimshëm. Nuk e di nëse janë të njëjtat segmente që janë përpjekur të më eliminojnë fizikisht disa herë, por realisht e di që janë ata që kanë montuar akuza të paqena ndaj personit tim, akuza për të cilat realisht ndodhem në gjendje “arresti në burg” që prej më se një viti. Konkretisht për këtë ngjarje, ndaj meje nuk është bërë ndonjë akuzë nga organet shtetërore, por kjo që përmendni ju është shfaqur në media, në interes të klaneve të caktuara.
Pikërisht natën e vrasjes, policia e burgjeve ju ka ushtruar një kontroll të imtësishëm në qeli. Si u soll me ju dhe a u gjet ndonjë send i ndaluar?
Siç shpjegova dhe më lart, pavarësisht se nga jeni vënë në dijeni ju për këtë fakt, është e vërtetë se në dhomën e izolimit ku unë ndodhem është kryer një kontroll. Në lidhje me imtësinë e tij, mund t’ju sqarojnë ata që e kanë kryer. Për mua ky kontroll, ashtu si dhe shumë të tjerë të mëparshëm, nuk përbën asnjë lloj problemi dhe nuk e konsideroj si shkelje të të drejtave të mia ligjore. Për sa i përket sjelljes së grupit gjatë kontrollit, nuk kam asnjë lloj pretendimi, pasi kanë qenë korrekt dhe në përputhje me rregullat. Lidhur me pyetjen për gjetjen e sendeve të paligjshme, është plotësisht e qartë që nuk është gjetur asnjë gjë e tillë, pasi natyrisht, po të ishte ndryshe, në lidhje me këtë fakt do ishit njoftuar nga organet kompetente.
Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me Klodian Saliun?
Për sa u përket marrëdhënieve me personin Klodian Saliu, kam për të sqaruar se kam pasur thjesht marrëdhënie normale njohjeje, si çuna durrsakë, por për asnjë periudhë nuk kam pasur marrëdhënie të ngushta apo mosmarrëveshje me këtë person, pasi nuk na ka lidhur asnjë gjë me njëri-tjetrin.
Ju pretendoni se ditën që është vrarë Klodian Saliu, vrasje e cila ende nuk është zbardhur, keni qenë në Turqi për kurim. Si e vërtetoni një fakt të tillë?
Është e vërtetë që ditën që është vrarë Klodian Saliu unë kam qenë për mjekime në Stamboll (Turqi). Për ndodhjen e kësaj ngjarjeje jam vënë në dijeni nga familjarët e mi në Durrës, në momentin që forcat e policisë kanë shkuar për të kryer kontroll në shtëpinë time. Kur familjaret iu kanë treguar se unë ndodhesha në Turqi, policisë i është dhënë numri im i telefonit celular turk. Drejtuesit e policisë së Durrësit më kanë marrë në telefon, duke komunikuar me mua për të sqaruar ku ndodhesha. Fakti që unë ndodhesha në atë kohë në Stamboll është lehtësisht e vërtetueshme dhe nga organet e Drejtësisë është sqaruar plotësisht.
Shumë nga të pandehurit në gjyq janë cilësuar nga Prokuroria si anëtarë të të ashtuquajturës Banda e Durrësit, në një kohë që po këta persona ju kanë bërë disa atentate. I njihni këta persona? Nëse po në çrrethana?
Në lidhje me ekzistencën e të ashtuquajturës Banda e Durrësit, unë jam vënë në dijeni nëpërmjet kërkesës për gjykim, të paraqitur nga organi i Prokurorisë pranë Gjykatës, në të cilën përfshihen 17 persona të pandehur. Që të ketë ekzistuar ndonjë Bandë e Durrësit, apo që unë të kem qenë anëtar apo drejtues i ndonjë të tille, nuk është e vërtetë. Pjesa më e madhe e këtyre të pandehurve janë persona që unë ua dëgjoj emrat për herë të parë, dhe në seancën gjyqësore, por edhe nga mediat kam marrë vesh se nuk janë durrsakë, por nga qytete veriore të Shqipërisë apo Kosova. Realisht, se çfarë veprimtarie kanë kryer ata, nuk di të them asgjë dhe nëse janë ata ose jo personat që kanë dashur të më vrasin, përsëri nuk di asgjë. Të gjitha dijenitë e mia për ato ngjarje i kam deklaruar përpara organeve kompetente, në momentin e ndodhjes së tyre.
Emri juaj është lakuar në shumë ngjarje të rënda kriminale. Me çfarë provash do mbroheni për të treguar se jeni i pafajshëm, ashtu sikurse pretendoni?
Për sa i përket implikimit të emrit tim në shumë ngjarje kriminale, në radhë të parë u takon organeve të Prokurorisë të paraqesin provat në lidhje me këto akuza. Ju sqaroj se deri në këto momente, as mua dhe as avokatit im, Arben Qeleshi nuk na është vënë në dispozicion asnjë lloj prove që të vërtetojë qoftë edhe për një moment këto akuza. E përmend këtë fakt, për shkak se kjo përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të mia kushtetuese dhe më krijon dyshime të bazuara, se organet e Policisë dhe Prokurorisë janë përpjekur dhe po përpiqen që të “fabrikojnë prova” për të më deklaruar fajtor dhe për të më dënuar padrejtësisht, pasi kështu i intereson atij grupi njerëzish, të cilët deri tani nuk kanë arritur të më eliminojnë fizikisht. Për të gjitha ngjarjet unë kam dhënë deklarime të sakta dhe të plota përpara organeve të akuzës, duke kërkuar që të gjitha këto deklarime të verifikoheshin me imtësi dhe saktësi për të ndihmuar në zbulimin e të vërtetës.
Prokuroria pretendon se ka tashmë një të penduar (Adriatik Coli), dëshmia e të cilit është vendimtare për të provuar akuzat ndaj jush. Çfarë marrëdhëniesh keni pasur me këtë person?
Në lidhje me këtë pyetje, mund t’ju sqaroj se faktin që deklarimet e Adriatik Colit janë vendimtare për akuzat ndaj meje, e kam marrë vesh nëpërmjet artikujve të botuar në media, përfshirë këtu dhe gazetën tuaj, por për asnjë moment nga organi i akuzës. Megjithatë, gjatë hetimeve kam këmbëngulur si vetë, edhe nëpërmjet avokatit tim, që të ballafaqohesha me këtë person, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh dhe nuk është realizuar asnjëherë. Nga kërkesa për gjykim, jam vënë në dijeni se Adriatik Coli është i pandehuri që akuzohet për kryerjen e më shumë krimeve nga të gjithë të pandehurit e tjerë. Konkretisht, se çfarë deklarimesh ka dhënë ky i pandehur, as unë, as avokati im nuk kemi dijeni zyrtare, në përputhje me kërkesat e ligjit. Për sa u përket marrëdhënieve me këtë person, ju tregoj se tek shtëpia ime, tek “Lagjja e Re”, në afërsi të saj banonte dhe familja e tij. Në këtë periudhë kohë, Adriatik Coli ishte në burg në Gjermani dhe pjesëtarët e familjes së tij komunikonin në telefon me të nëpërmjet telefonit të shtëpisë time. Duke parë vështirësitë ekonomike të familjes së tij në atë periudhë, unë dhe familja ime jemi përpjekur t’i ndihmonim me sa ishte e mundur në atë kohë. Më pas e kam njohur këtë person kur ka ardhur në Shqipëri, pasi kishte dalë nga burgu, por me të nuk kam pasur asnjëherë ndonjë lidhje të ngushtë shoqërore, apo marrëdhënie të tjera pune apo biznesi. Lidhur me deklarimet e tij, ju sqaroj dhe një herë se nuk kam dijeni dhe nuk më është vënë në dispozicion asnjë deklarim. Nëse jeni e interesuar në lidhje me të, mund të kontaktoni me avokatin e tij, të caktuar nga Gjykata.
Me tërë këto akuza që iu atribuohen juve, mendoni se përbëjnë rrezik familjen tuaj?
Informacionet e botuara gjatë gjithë periudhës që unë kam qenë në burg, si dhe në rastin e fundit për ngjarjen e ndodhur para 5 ditësh, në lidhje me personin tim, janë insinuata dashakeqe, të cilat mendoj se ndikojnë shume negativisht edhe për pjesëtarët e familjes time, që banojnë në Durrës. Kam të drejtë të mendoj se ato janë më shumë të qëllimshme sesa pjesë e sensacionit gazetaresk, e them këtë pasi është shumë e qartë dhe e thjeshtë që Lulëzim Berisha e ka absolutisht të pamundur që të urdhërojë apo komandojë kryerjen e ndonjë krimi nga Burgu 302, ku ndodhem. Përpjekja që çdo ngjarje që ndodh në rrethin e Durrësit t’i faturohet Lulzim Berishës ka si qëllim ngritjen e një opinioni të padrejtë në drejtim të personit tim, tani ne momentin e gjykimit të çështjes, për të krijuar një ndikim negativ tek organet e Drejtësisë, duke cenuar kështu pavarësinë e tyre. Gjithashtu, përbëjnë shqetësim dhe rrezik real për pjesëtarët e familjes time.
http://www.balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=17843
http://balkanforum.org/thread.php?threadid=713&threadview=0&hilight=&hilightuser=0&page=1